Shqipëria nuk do të zbatojë vendimet e marra ditë më parë për prodhuesit e patates nga Kosova.

Këtë e kanë bërë të ditur ministri në detyrë i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Krasniqi, i cili tash e disa ditë ka qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Shqipëri për të eliminuar këto barriera, ka thënë se që nga sot prodhuesit e patates mund të eksportojnë prodhimet  e tyre drejt Shqipërisë pa llogaritjen e çmimit referent të përcaktuar më herët nga autoritetet në Shqipëri.

Kemi marrë një sqarim të vendimit të Doganave të Shqipërisë, sipas të cilit nuk do të implementohet çmimi referent i paralajmëruar më parë dhe ne besojmë te ky përkushtim i Qeverisë Shqiptare por edhe i organeve relevante që të vazhdohet me praktikën e kaluar, ku janë pranuar dokumentacionet  e transaksioneve bankare ndërmjet eksportuesve nga Kosova dhe importuesve nga Shqipëria

”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, lidhur me vendosjen e çmimit referent për pataten kosovare,  ka thënë se ka qenë një ndalesë e pa studiuar dhe e pamotivuar në asnjë mënyrë, as në planin ekonomik dhe as më gjerë dhe sipas tij kjo situatë e shkurtër që ka penguar produktet e patates që të shkojnë drejt tregjeve të Shqipërisë, ka përfunduar./Klan Kosova