Lojë më e mirë, por shumë raste të shpërdoruara

Në një tjetër përballje të vështirë, por shumë të luftuar, kombëtarja e humbi edhe ndeshjen me Suedinë.

Ndryshimet e bëra në formacionin titullar patën efekt. Prania e Brojës ishte një shqetësim i vazhdueshëm për mbrojtjen e Suedisë. Në minutën e 12, sulmuesi shpërtheu duke kaluar lojtarët kundërshtarë, por në zonë u rrëzua duke pretenduar edhe një 11-metërsh. Arbitri kryesor nuk e akordoi edhe pas protestave të lojtarëve të Shqipërisë.

Më pas ai dërgoi edhe topin në rrjetë, por ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje.

Në pjesën e parë dëshira dhe impenjimi nuk munguan, por rastet më të mira për shënim i kishte Suedia që goditi edhe shtyllën. Golat e skuadrës vendase i shmangu edhe Strakosha me pritjet e tij.

Në pjesën e dytë pati sërish përpjekje të kuqezinjve, por ishte Suedia që gjeti golin. Ishte minuta e 62 kur Kulusevskit gjen Nilson i cili me kokë mposht Strakoshën.

Nga të dy skuadrat tentativat për të shënuar ishin të vazhdueshme. Sylvinho bëri disa ndryshime. Në fushë u hodhën Bare, Hysaj, Hoxha, Cikalleshi, Muçolli dhe Muçi. Prania e tyre solli më shumë kurajo për të sulmuar. Madje në minutën e 83 Gjimshiti ishte pranë golit, por një tjetër rast u shpërdorua.

Edhe në 5 minutat shtesë nuk mungoi dëshira për të shënuar, por rezultati nuk ndryshoi.

Kombëtarja do të rikthehet me ndeshje miqësore në muajin Qershor kundër Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, sfida që gjithashtu do të transmetohen në ekranin e Tv Klan.

Tv Klan