Pas panairit të turizmit FITUR në Madrid, destinacionet shqiptare do të jenë pjesë e një tjetër hapësire promovimi. ITB Berlin është panairi më i madh në botë i turizmit, ku vendi ynë merr pjesë me sloganin “Albania All Senses” nga data 5 deri më 7 Mars. Shqipëria në këtë panair do të marrë edhe rolin si vendi i nderit në ITB BERLIN 2025, duke përfituar kështu nga një program 1-vjeçar promovimi.

Pjesëmarrjen e këtij viti, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cilësojnë një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë përmes një axhende të pasur aktivitetesh e po ashtu përgatitje për vitin 2025, pasi panairi do të kulmojë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit në ITB BERLIN 2025.

Oferta turistike dhe potenciali i Shqipërisë do të prezantohen në Gjermani nga 26 tur-operatorë privatë dhe shtatë bashki turistike. Të gjitha ‘shqisat’ që gjenden në Shqipëri së bashku me programet e tyre të dedikuara të promovimit do të shfaqen për tregun e huaj nga Bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë.

Përgjatë vitit të shkuar, rreth 10 milionë të huaj vizituan Shqipërinë. Synimi është që në vitin 2030, ky numër të dyfishohet.

Tv Klan