Rama: Erdhi pas një pune të gjatë dhe angazhimi serioz për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës turistike

Shqipërisë i dorëzohet zyrtarisht titulli “Vendi i Nderit” i ITB- Berlin 2025, panairit më të madh në botë të turizmit.

Sipas një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama shkruan se ky vlerësim erdhi pas pune të gjatë dhe angazhimi serioz për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës turistike në eventet e promovimit ndërkombëtar.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje në kryeqytetin gjerman, mes ministres së Turizmit Mirela Kumbaro dhe, Ceo i “Messe Berlin” Mario Tobias, nis një program promovimi njëvjeçar që përfundon marsin e ardhshëm, i cili e kthen vendin tonë në epiqendrën dhe temën e eventit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.

Në edicionin e këtij viti Shqipëria merr pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.

Gjatë këtij edicioni, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë, për mbajtjen në Tiranë në datat 7 deri më 9 prill të mbledhjes së 70-të, të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, ku priten të marrin pjesë ministra nga 40 vende të kontinentit.

Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rekuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të këtij viti vendi ynë u vizitua nga 1 milion turistë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Klan News