vrasja ne italiDalin në dritë detaje të reja mbi vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar, mbrëmjen e së premtes në Bari të Italisë. Viktima e identifikuar si Flori Mesuti u qëllua me 3 plumba në gjoks, në lagjen Libertà.

Ai gjendej në shoqërinë e një gruaje, e cila është plagosur lehtë nga të shtënat.

Policia italiane ka zbardhur ngjarjen një ditë më pas. Mësohet se i riu shqiptar ka ndërhyrë për të ndarë një sherr mes disa personave të mitur. Dhe duke dashur që të vendosë rregull i ka bërtitur njërit prej tyre, ndoshta pak më shumë se duhet, ndoshta i ka dhënë edhe një shuplakë.

Por ky i fundit ka thirrur familjarët e tij që mesa duket kanë qenë të armatosur. Besohet se i ati i të miturit ka qëlluar në drejtim të lokalit ku ishte ulur Flori Mesuti dhe një vajzë që e shoqëronte.

Persona në vendngjarje thanë se e kanë parë viktimën të tentojë të largohet por autori e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me 3 plumba nga një distancë e afërt.

Mesuti ka mbërritur në gjendje të rëndë në spital ndërsa ka ndërruar jetë në Policlinikën e Barit. Mjekët thanë se një prej plumave ka qenë fatal. Autoritetet deklaruan se në ditët në vijim do të dalin analizat balistike për të mësuar më shumëm mbi armën dhe autorin e këtij krimi.

TV KLAN