670 familje shqiptare janë në ngujim për shkak të gjakmarrjes. 160 fëmijë nuk shkojnë në shkollë për këtë shkak ndërsa 73 të mitur janë kërcënuar direkt për jetën. Këto shifra alarmante janë shënuar në rezolutën e fundit të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Akademiku Luan Omari thekson pas kësaj se me gjithë rolin e OJQ-ve dhe organizmave ndërkombëtarë është shteti shqiptar që duhet të veprojë.

Luan Omari: “Ndihma e jashtme është e mirëpritur, por në qoftë se nuk ekziston vullneti, dëshira, lufta konsekuente brenda vendit kundër kësaj dukurie është e kotë të pritet që çështja do të zgjidhet nga jashtë. Jashtë vetëm mund të vijë një ndihmë, një mbështetje, një asistencë, por jo zgjidhja e çështjes. Mund të shikohen dhe masa të tjera që ta bëjnë më efikase goditjen penale, por çështja nuk është vetëm te goditja penale, ky është një aspekt i çështjes, duhen marrë edhe masa të tjera të gjithanshme.”

Në rezolutë është kërkuar edhe një herë që Kuvendi i Shqipërisë të rishikojë Kodin Penal me qëllim që vrasësit për gjakmarrje të dënohen nga 25 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi apo amnistie. /tvklan.al