Bardhi: E dakordësuar. Vijojnë konsultat mes palëve

Konferenca e Kryetarëve nuk ia doli sot të zyrtarizojë paktin e dakordësuar në parim mes mazhorancës dhe grupit të deputetëve Berisha-Bardhi për rikthimin e normalitetit në Kuvend. Shkak u bë shtyrja e mbledhjes me argumentin se palët janë ende në konsultime dhe se u nevojitet pak kohë për të çuar përpara punën e nisur.

Ajo që duket se ende nuk ka marrë zgjidhje ka të bëjë me objektin e hetimit të komisioneve të pranuara nga mazhoranca për sistemin TIMS dhe ato në Shëndetësi, si dhe formulën e përbërjes së nënkomisionit për Reformën Zgjedhore.

Por pavarësisht shtyrjes së Konferencës së Kryetarëve, Gazment Bardhi mohoi të ketë një tërheqje nga ana e deputetëve të opozitës për dakordësinë e arritur të martën në parim me socialistët, për të cilën kishte thirrur edhe mbledhjen e grupit, ku informoi të vetët.

Gazment Bardhi: Është dakordësuar shtyrja e mbledhjes. Nuk ka asnjë marrëveshje. Ka një dialog politik normal për një vend kandidat në BE, që ne insittucione, palët politike të dialogojnë. Ka gjetur dakordësi në parim.

Por ky akord i arritur në parim mes palëve duket se nuk është pritur mirë nga një pjesë e deputetëve demokatë, mes të cilëve edhe Ervin Salianji.

Ervin Salianji: A ka nja dy-tre muaj që Rama thotë me ligjin e ri merrini 8 komisionet hetimore. Nuk mund të bërtas për fitore kur Rama thotë merr 8 dhe ne marrim 2. Kufizimi që bëhet me dy anëtarë është prapë një hap prapa. Nëse komisioni kishte gjithë përfshirje tani janë vetëm dy palët.

Për gjithpërfshirje në Komisionin e Reformës ZgjedHore foli edhe Kryerepublikani, Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga Salanji, i sheh negociatat e nisura me mazhorancën si hap pozitiv.

Fatmir Mediu: Reforma Zgjedhore, ka nevojë të jetë gjithë përfshirëse, garanton kushtetutshmërinë e parlamentit.

Ndonëse palët në të dy kampet mohojnë zërat për prishje të dakordësisë, mbetet për t’u parë nëse kjo javë do të zyrtarizojë paktin e arritur më herët që pritet t’i japë fund startegjisë bllokuese të opozitës, për t’iu rikthyer jetës normale në parlament në seancën plenare të 21 Marsit.

Tv Klan