Ende pa nisur prodhimi i armëve dhe municioneve “Made in Albania”, buxhetit të shtetit do ti merren 300 milion lekë nga fondi rezervë për këtë proces. Këto para do të jenë në funksion të ngritjes së shoqërisë shtetërore “Kayo”, e cila do të kontrollojë prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Ndonëse një shoqëri shtetërore, projektligji nuk përjashton mundësinë që kjo shoqëri të jepet edhe me koncesion. Neni 10 përcakton se Shoqëria ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj.

Kjo shoqëri përcakton një Këshill Mbikëqyrës me 6 anëtarë të cilët do të jenë përfaqësues nga një sërë institucionesh shtetërore duke filluar nga Kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, Financave, Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të Forcave të Armatosura. 3 ndërmarrjet e prodhimit të armëve që ishin në Mjekës të Elbasanit, Gramsh dhe Poliçan prej vitesh nuk janë më funksionale, ndaj prej vitesh këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.

Klan News