Siguria UShqimoreShishe qumeshti pranë thasëve me helme, në pritje për tu blerë nga konsumatorët e radhës ishim pamjet e transmetuara dje në kronikat e Televizionit Klan dhe që mund të trondisin këdo që mund ti shohë. Ashtu si edhe bulmetrat apo dhe kafshët, mishi i të cilave shitet menjëherë pas therjes se tyre.

Pas këtyre pamjeve dhe shqetësimeve të vetë qytetarëve të cilët janë të detyruar të jenë edhe konsumatorë të këtyre produkteve aspak të kontrolluara, sot Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e pranon situatën e rënduar me shitjen e këtyre produkteve bazë ushqimore, por e heq menjëherë përgjegjësinë nga vetja.

Në një situatë alarmante ku vetëm dy ditë më parë, u fol edhe për rrezikun e sëmundjes së plasjes tek kafshët në disa zona të vendit, AKU, duke bërë një rezyme të kontrolleve të bëra në terren, mundohet që rastet e publikuara dje, me zë dhe figurë, ti minimizojë ose ti largojë nga përgjegjësitë e veta.

Sot, AKU deklaroi së është në dijeni të rasteve kur produktet me origjinë shtazore si mishi, qumështi, bulmetrat shiten nëpër cepa rrugësh në mes baltës dhe pluhurit apo afër produkteve të tjera të rrezikshme dhe ka ndërhyrë sa herë ka patur informacion. Por në të vertete, realiteti është i atillë që këto produkte mund ti gjesh çdo ditë dhe nuk ka nevojë për sinjalizime pasi të dalin përpara në çdo cep tregu informal në çdo qytet të vendit. AKU, dorëzohet para këtij realiteti kur thotë se nuk është e mundur  ndalimi i kësaj tregëtie të rrezikshme dhe penalizimi i shitësve ambulantë, duke ja kaluar përgjegjësinë vetë këtyre të fundit, Policisë Bashkiake si dhe vetë konsumatorëve.

Sigurisht, që në doza të ndryshme secili ka përgjegjësinë e vet por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit si pjesë e Ministrisë së Bujqësisë, ka rolin parësor për kontrollin e tregjeve të paligjshme, ndalimin e produkteve të rrezikshme dhe të pakontrolluara, si dhe garantimin e cilësisë së ushqimit. Nëse nuk ja del dot, atëherë të kërkojë ndihmën e institucioneve të tjera.  Dhe jo të presë që pamje të tilla të shfaqen një herë në muaj nëpër televizione, e më pas të bëjnë reagime se sa kontrolle kanë bërë ata nëpër tregje. Sepse ndryshe këta qytetarë nuk kanë faj kur thonë: “Këtu është e çuditshme sesi kemi shpëtuar pa na kapur ndonjë epidemi…”

tvKlan