I ftuar në programin “Rudina”, në Tv Klan këtë pasdite ishte aktori i njohur Herion Mustafaraj. Fillimisht u bë i njohur nga roli në filimin ‘Beni ecën vetë’, një film që ishte vetëm fillimi i një karrierë shumë të suksesshme në teatër, kinematografi, por jo vetëm.

Prej shumë vitesh jeton në SHBA, por gjithsesi ka qenë i pranishëm në disa projekte shqiptare. Së fundmi ka marrë pjesë në shfaqjen teatrale në Korçë: ‘S’ka burrë që tradhton gruan time’. I pyetur për subjektin e shfaqjes, Mustafaraj shprehet se janë tre akte që trajtohen.

Herion Mustafaraj: Subjekti i shfaqjes, tre janë pikat e shfaqjes. Janë tre akte dhe në aktin e parë, i dashuri me gjithë nusen duan të vrasin burrin. Në aktin e dytë burri me gruan duan të vrasin të dashurin dhe në aktin e tretë burri me të dashurën duan të vrasin gruan. Nuk ia dalin në asnjë lloj forme, kështu që në fund fare përfundojnë të lumtur të tre bashkë. Shiko si vjen jeta. Si të thuash pranon çdo gjë sepse kjo jetë përndryshe kthehet në vrasje dhe në gjakderdhje. Asgjë nga këto nuk ndodh dhe këtu qëndron dhe komedia.

Sipas tij bëhet fjalë për një komedi edukuese, që të bën të kuptosh se ato gjëra që duken si thelbësore, në fakt janë gjëra boshe.

Herion Mustafaraj: Është shumë komedi edukuese sinqerisht, të bën të kuptosh që ato gjërat që janë më thelbësore, për të cilat ne mendojmë të japim jetën, për dashurinë, për besnikërinë, duken si gjëra boshe. Pavarësisht se në thelb nuk janë, se dhe në komedi këto personazhe vuajnë, por që të hakmerresh kundrejt tyre, se nuk shkuan në formën që do ti, ajo duket kotësi dhe ajo është pika më e bukur që kjo shfaqje sjell tek spektatori./tvklan.al