Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, anëtari i PS-së në këtë Këshill, Ulsi Manja, tha se ishte pranuar kërkesa e Prokurorisë për hetim, por jo për arrestim.

Lidhur me kërkesën e prokurorisë. Ne e pranuam kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për kontrollin e banesës dhe kontrollin personal duke garantuar vijueshmërinë e hetimeve, konform rregullave. Prokuroria është e lirë të vijojë me dinamikën e hetimit, ndërsa lidhur me kërkesën e Prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, si masë e kufizimit të lirisë, ne si shumicë çmojmë se kërkesa e Prokurorisë nuk mbështetet në prova, siç e kërkon neni 73/2 i Kushtetutës, neni 288 i Procedurës Penale, pra Prokuroria është e lirë pas vendimmarrjes së kuvendit në seancë plenare të vijojë hetimet

”, tha Ulsi Manja.

5 anëtarët e opozitës mbështetën plotësisht kërkesat e Prokurorisë duke përfshirë edhe autorizimin për arrestim, ndërsa 5 anëtarët e mazhorancës mbështetën vetëm hetimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës, duke kundërshtuar autorizimin për arrestim.

Pritet që Këshilli t’i drejtohet Parlamentit me dy raporte, dhe do të jetë Kuvendi që do të vendosë me votë të fshehtë për fatin e Tahirit./tvklan.al