Pas 10 ditësh homazhe, trupi i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II bën udhëtimin e tij të fundit sot në mëngjes si pjesë e një funerali madhështor shtetëror. Fillimisht në Westminster Abbey, u bë një shërbim fetar përpara një kongregacioni prej mijëra njerëzish dhe më pas pritet në Kështjellën Windsor një shërbim më privat dhe në fund ceremonia e varrimit do të jetë tërësisht private.

Një ditë emocionesh dhe një ceremoni që nuk është parë që nga funerali i fundit shtetëror, i Winston Churchill, gati 60 vjet më parë. Homazhet për Mbretëreshën në Westminster Hall, në zemër të Londrës kanë marrë fund këtë mëngjes herët rreth orës 06:30. Mijëra vetë kanë qëndruar në radhë duke parakaluar para arkivolit të saj.

Në orën 08:00

Arkëmorti i Mbretëreshës u vendos pak metra më larg, në Westminster Abbey, ku dyert u hapën për të ftuarit të filluan të mblidhen përpara shërbimit në orën 11:00. Mbi 500 krerë shtetesh nga e gjithë bota fluturuan në Londër për t’u bashkuar me anëtarët e familjes mbretërore për të kujtuar jetën dhe shërbimin e Mbretëreshës. Aty ishin edhe politikanë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryeministra. Po ashtu shkuan edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës, Mbreti i Belgjikës Philippe dhe Mbretëresha Mathilde dhe Mbreti i Spanjës Felipe dhe Mbretëresha Letizia ishin atje.

Trupi i Mbretëreshës u transportua nga Armata e marinës mbretërore që përbëhet nga 142 marinarë. Kjo pjesë ceremoniale u pa për herë të të fundit në vitin 1979 për funeralin e xhaxhait të Princit Philip, Lord Mountbatten dhe u përdor edhe për babain e Mbretëreshës, George VI, në 1952.

Anëtarët e lartë të familjes mbretërore, duke përfshirë Mbretin e ri Charles III dhe djemtë e tij Princin William dhe Princin Harry, ndoqën karrocën e Armatës Mbretërore në këtë procesion. Banda e regjimenteve skoceze dhe irlandeze udhëhoqën ceremoninë, së bashku me anëtarët e Forcave Ajrore Mbretërore.

Në orën 11:00

Funerali i Mbretëreshës ku morën pjesë rreth 2000 të ftuar, u zhvillua në Westminster Abbey. Ishte një funeral shtetëror – një ngjarje e rezervuar zakonisht për mbretërit ose mbretëreshat, e cila nndoqi rregulla strikte të protokollit.

Abbey është kisha historike ku kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e Britanisë, duke përfshirë kurorëzimin e vetë Mbretëreshës në 1953. Ishte gjithashtu vendi ku princesha e atëhershme Elizabeth u martua me Princin Philip në 1947.

Në orën 11:55

U mbajt një heshtje kombëtare dy minutëshe. Shërbimi shtetëror i funeralit u mbyll rreth mesditës me himnin kombëtar.

orën 12:15

Pas shërbimit, arkivoli i Mbretëreshës u transportua përmes një procesioni në këmbë nga Abbey në Harkun Wellington, në Hyde Park Corner të Londrës. Në këtë pjesë të ceremonialit ora e famshme e Londrës Big Ben ra në intervale prej një minute, ndërsa procesioni lëvizi ngadalë nëpër rrugët e kryeqytetit. Përshëndetjet me armë vijuan në çdo minutë nga Hyde Park.

Ndërkaq qytetarët ishin të lirë të ndjekin procesionin nga zonat e caktuara përgjatë rrugës. Edhe një herë Mbreti udhëhoqi anëtarët e Familjes Mbretërore që ecën pas karrocës së Armatës Mbretërore që mbante arkivolin e Mbretëreshës.

Rreth orës 13:00

Arkivoli do të transferohet me makinë për udhëtimin e tij të fundit në Kështjellën Windsor. Kështjella, e banuar vazhdimisht nga 40 monarkë për pothuajse 1000 vjet, pati një rëndësi të veçantë për Mbretëreshën gjatë gjithë jetës së saj.

Kur ishte adoleshente ajo u dërgua në kështjellë gjatë viteve të luftës pasi Londra u përball me kërcënimin e bombardimeve, dhe së fundmi ajo e bëri atë shtëpinë e saj të përhershme gjatë pandemisë së koronavirusit.

Rreth orës 15:00

Kortezhi do të mbërrijë në këmbë në Kështjellën Windsor. Rruga prej 5 kilometrash do të shoqërohet nga anëtarë të forcave të armatosura.

Mbreti dhe anëtarët e lartë të familjes mbretërore pritet të bashkohen me kortezhin në Kështjellën Windsor pak më vonë.

Rreth orës 16:00 arkëmorti do të hyjë në Kishën e Saint Xhorxhe, e cila është kisha e zgjedhur rregullisht nga Familja Mbretërore pëqr dasma, pagëzime dhe funerale.

Është vendi ku Duka dhe Dukesha e Sussex, Princi Harry dhe Meghan, u martuan në vitin 2018 dhe ku u mbajt funerali i bashkëshortit të ndjerë të Mbretëreshës, Princit Philip.

Rreth orës 16:45

Pritet të përfundojë ceremonia shtetërore dhe Mbreti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes Mbretërore do të largohen nga Kisha

Në orën 19:30

Në mbrëmje Mbretëresha Elisabeth II do të varroset në një ceremoni private pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Dukës së Edinburgut në kishën e Saint Xhorxhe.

Klan News