Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti ka ndërmend të afrojë ish-futbollistë të njohur në prag të Euro 2024. Spalletti tha në një intervistë për “Corriere dello Sport” se pritet të ketë këshilltarë lojtarë të cilët janë shpallur kampionë bote, Del Piero e Totti në 2006 e Antognoni në 1982, por edhe Baggio nënkampion në 1994.

“Do të më pëlqente të sillja në Coverciano, kur të jemi grumbulluar për përgatitjet e Europianit, 4 numra 10 të nivelit botëror, Baggio, Del Piero, Totti e Antognoni. Kam biseduar me Gravina. Mendon se mund t’i japin shtysën djemve për të patur një paraqitje më të mirë. Së shpejti do të marrin ftesat zyrtare”.

Italia është kundërshtari i parë i Kombëtares së Sylvinho më 15 qershor në Dortmund. Në grup janë edhe Spanja e Kroacia, por Luciano Spalletti thotë se nuk i frikësohet asnjë ekipi.

“Do të ndjehem trajner i përfaqësueses vetëm kur të çoj Italinë përpara në Europian. Nuk duhet t’i trembemi asnjërit, ta ngulim këtë mendim në kokë si një gozhdë”.

Italia vjen në këtë Europian si kampione në fuqi. Të gjitha ndeshjet e Euro 2024 do t’i ndiqni ekskluzivisht në Tv Klan.

Tv Klan