Furia e kuqe humbet 1-0, trajneri De la Fuente: Kemi nevojë për të tillë rivalë për europianin

Spanja u mund në miqësoren e luajtur në Londër kundër Kolumbisë minimalisht. Kjo ishte një ndeshje ideale për trajnerin Luis de la Fuente, për të testuar futbollisët.

Furia e kuqe, kundërshtari i Shqipërisë në kampionatin europian dominoi në 45 minutat e para, por nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës.

Takimin e vendosi goli i Daniel Munjoz në minutën e 61 të lojës. Në përfundim të takimit, trajneri de la Fuente analizoi paraqitjen e ekipit.

“Ne kemi kërkuar këta lloj rivalësh sepse donim të përballeshim me ekipe cilësore. Në qershor do të kemi disa ditë pushim dhe e menduam se do të ishte e përshtatshme të luanim me rivalë kaq të fuqishëm. Ne duhet të konkurrojmë dhe të masim forcën tonë kundër të tillë kundërshtarëve. Nga humbjet mëson më shumë se nga fitoret. Kjo ishte një ndeshje shumë e fortë. James dhe Luis Díaz na kanë bërë shumë dëm. Ndeshja pati një ritëm shumë të lartë dhe Kolumbia shfrytëzoi hapësirat. Kjo ishte thelbësore për të kuptuar lojën.”

Miqësorja e radhës e Furisë së kuqe do të jetë kundër Brazilit të martën.

Klan News