Lajme Arkiva – TV Klan 2000

17 vajza janë përzgjedhur nga i gjithë vendi për të konkurruar në kurorën për “Mbretëreshën e Detit”. Organizuar në formën e plotë të një spektakli televiziv, nën regjinë e Petri Bozos, nata magjike do të prezantohet nga Reiz Çiço, ku për herë të parë gjendet edhe nën rolin e skenaristit dhe bashkë-producentit.

Brenda shfaqjes deri tani janë caktuar elementët që do të përcillen tek teleshikuesi drejtpërsëdrejti nga TV Klan dhe Gjeli Vizion. Kështu këtë radhë videoklipet do të jenë të shumta, si për këngët që do të këndohen ashtu edhe për vajzat, ku do të nxirren në pah hiret e bukurosheve. Çdo gjë do t’i përkasë detit, sensualitetit femëror dhe stinës së nxehtë të verës.

Nëpërmjet imazheve, filmime të cilat janë xhiruar më parë dhe janë realizuar pranë studiove të TV Klan, spektakli do të japë për teleshikuesit, një ndjesi të re, por nuk do të mungojnë surprizat. Kështu Hygerta Sako, këtë herë del si këngëtare me një videoklip të xhiruar brigjeve të Adriatikut. Do të ketë potpuri këngësh popullore të realizuara nga Alban Karabashi. Nga pista “Iliria” e Durrësit do të kurorëzohet “Mbretëresha e Detit”, e cila do të pasohet edhe në vitet e tjera./tvklan.al