E çuditshme, por ndodh në Australi! Siç shkruhet në një artikull të Business Insider, një spital australian po u kërkon pacientëve që kafshohen nga gjarpërinjtë, të mos i sjellin këta të fundit në dhomën e urgjencës. Mësohet se jo më larg se në fillim të këtij muaji, stafit të spitalit “Bundaberg” në Queensland iu dorëzua në enë plastike një gjarpër i vogël i cili ka helm vdekjeprurës. Ai gjendet kryesisht në Australinë Lindore dhe është një prej zvarranikëve me kafshimin më fatal në vend.

Çdo vit në Australi raportohen rreth 3 mijë raste të kafshimit nga gjarpri, 41% e tyre prej gjarprit kaf të zonave lindore.

Sipas Drejtorit të Urgjencës në këtë spital, Adam Michel sjellja e gjarpërinjve në kuti plastike është tejet e rrezikshme. “Stafi u frikësua dhe normalisht ata nuk u jepnin dot trajtimin në kohë pacientëve. Ne duam që njerëzit të jenë në gjendje të marrin ndihmën mjekësore shpejt dhe të kesh një gjarpër të gjallë aty pranë e komplikon procesin”, tha Michel.

Sipas Shoqatës Mjekësore Australiane, koha e pritjes në urgjencë është zgjatur shumë pikërisht prej këtij fenomeni.

Po pse njerëzit i sjellin gjarpërinjtë në kontenierë ose qese plastike? Ata mendojnë se duke i identifikuar, do jetë më e thjeshtë për trajtimin e tyre. Në fakt kjo gjë vetëm sa rrezikon jetë të tjera.

Michel theksoi se mjekët nuk janë të specializuar në identifikimin e gjarpërinjve.

“Ne mund të përcaktojmë nëse keni nevojë për anti-helm bazuar në shenjat klinike, testet e gjakut”, përfundoi ai./tvklan.al