Kryesisë i shtohen dhe 9 anëtarë të rinj, Noka: Ditë historike!

Pas më shumë se dy vite të ndarë grupi i Bardhit dhe ai Berishës finalizuan këtë të martë bashkimin edhe në strukturat e PD. Këshilli Kombëtar i PD, votoi ndryshimet statusore, duke i hapur rrugën Gazment Bardhit për të qenë edhe nënkryetari i PD, krahas detyrës si kryetar i grupit parlamentar.

Një tjetër emër që iu shtua listës së nënkryetarëve është dhe Agron Gjekmarkaj, i cili mban dhe detyrën e nënkryetarit të Kuvendit. Me këto ndryshime, PD ka 4 nënkryetarë, Oerd Bylykbashin dhe Luçiano Boçin, dy besnikët e Berishës, Bardhin dhe Gjekmarkaj, dy persona të cilët kanë kritikuar më fortë Berishën.

Po ashtu, ndryshimi i statutit bëri të mundur që në kryesi të jenë anëtarë, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Në këtë mënyrë, kryesisë me 37 anëtarë i shtohen edhe 9 emra të tjerë, përfshirë Bardhin si kryetar i grupit dhe Ervin Salianjin si nënkryetar i grupit parlamentar. Në kuadër të ndryshimeve statusore, anëtare të kryesisë bëhet pjesë edhe Jorida Tabaku për shkak se është Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane. Por vetë deputetja nuk e ka konfirmuar nëse do pranojë të jetë pjesë e kryesisë së PD që drejtohet nga Sali Berisha.

Në përfundim të mbledhjes, ndryshe nga herët e tjera, ku pas çdo mbledhje të rëndësishme fliste për mediat, Gazment Bardhi refuzoi të fliste për postin e ri si nënkryetar.

Të njëjtën gjë bëri edhe Agron Gjekmarkaj.

Për mediat foli Sekretari i Përgjithshëm, Falmur Noka, i cili e cilësoi datën 5 Mars si historike për PD.

“Një ditë historike për demokratët në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e zezë për Edi Ramën dhe regjimin e tij. Skenari i tij për ta mbajtur të përçarë këtë parti, skenari i tij për të mbajtur demokratët në luftë me njëri-tjetrin sot morri fund.”

Ndryshimet statusore nuk kaluan pa debate në mbledhjen e kryesisë, ku disa prej anëtarëve kërkuan që prurjet e reja të kësaj strukture të vinin nëpërmjet votës. Një nga zërat që mbështeti këtë tezë ishte edhe Jozefina Topalli.

Pas realizimit të bashkimit në strukturat e partisë, tashmë PD do të nisë punën për të mbajtur zgjedhje në 19 degë të saj të cilat nuk kanë kryetar. Po ashtu, Noka dhe Bardhi do të vijojnë takimet me qytetarët për të përcjellë mesazhin e bashkimit të partisë si dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025.

Klan News