Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Europa dhe SHBA-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe janë më të forta së bashku. Deklaratën, Stoltenberg e dha në gjatë fjalës së tij në një ceremoni që shënonte 75-vjetorin e aleancës.

“Unë nuk besoj vetëm në Amerikë, ashtu siç nuk besoj vetëm në Evropë. Unë besoj në Amerikën dhe Europën së bashku në NATO, sepse ne jemi më të fortë dhe më të sigurt së bashku”, tha Stoltenberg.

Gjatë fjalimit të tij, Stoltenberg tha se NATO duhet të “bëjë diçka të drejtë”, pasi ajo ishte rritur nga 12 vende në fillimin e saj në 32. Anëtarët e saj më të rinj Suedia dhe Finlanda braktisën neutralitetin e tyre dhe iu bashkuan aleancës si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Deklarata e shefit të NATO-s erdhi pasi aleanca shqyrtoi një fond pesëvjeçar prej 100 miliardë Eurosh për të ofruar mbështetje ushtarake afatgjatë për Ukrainën, kështu që ndihma për Kievin nuk rrezikohet nga ndryshimet politike as në SHBA, as në shtete të tjera të NATO-s. Ndërkohë, një paketë amerikane me vlerë 60 miliardë Dollarë është bllokuar në Kongres prej muajsh për shkak të rezistencës së ligjvënësve republikanë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha në përgjigje të fjalimit se marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO-s kishin “rrëshqitur në nivelin e konfrontimit të drejtpërdrejtë” pasi aleanca tashmë ishte “e përfshirë” në konfliktin rreth Ukrainës. Megjithëse NATO është një aleancë mbrojtëse, Peskov pretendon se ajo “u konceptua, u krijua dhe kontrollohej nga SHBA si një mjet konfrontimi” dhe tani sipas tij, ishte një “element destabilizues”./tvklan.al