Veliaj: Krenar që Tirana merret si shembull

Shërbimi Zjarrfikës në Tiranë numëron një sërë ndërhyrjesh në rastet e zjarreve apo dhe dhënien e ndihmës për qytetarët. Kryebashkiaku Veliaj sëbashku me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, vizituan mjediset e këtij shërbimi tek “21 Dhjetori”, për të parë kushtet si dhe prezantuar strategjinë e re.

“Ne mendojmë për zjarrfikësit, ambulancën, policinë, në ditët e nevojës dhe jo në ditët e mira. Por, leksionet që nxorëm si nga pandemia, si nga tërmeti, është se duhet të shfrytëzojmë ditët pa raste dramatike për të investuar në këto shërbime, që të jemi të përgatitur”.

Veliaj solli në vëmendje se fatmirësisht deri më tani s’ka patur dëme në njerëz, megjithatë ka ende nevojë për emancipim.

“Na duhet jo vetëm të rrisim kapacitetet tona, por edhe emancipim, si për stafin tonë në bashki, ashtu edhe për Ministrinë e Brendshme. Jemi shumë krenarë dhe mezi presim që  këtë strategji ta çojmë deri në fund. Shembullin më të mirë si investim po e bëjmë në Kinostudio, aty ku hodhëm themelet për një stacion të ri dhe një shërbim model, i cili mund të përdoret si shembull edhe për bashkitë e tjera”.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, po investojnë për pajisjen e shërbimit me godina, mjete të reja, uniforma, kushte të punës e gatishmërisë, si dhe mirëpërgatitjen e mirëtrajnimin e tyre.

Tv Klan