Studim/ Si nxitet dhe si trajtohet radikalizmi në Kosovë



Një studim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës, vë në pah se 72 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se ka problem me radikalizmin në komunitetin e tyre, ndërsa rreth 93 për qind besojnë se interneti luan një rol të madh në këtë radikalizim.

Këto të dhëna u bënë publike gjatë paraqitjes së raportit “Vlerësimi i gjerë i perceptimeve mbi radikalizimin në nivel të komunitetit në Kosovë”, i hartuar nga këto institucione.

Alessandra Roccasalvo, nga UNDP tha se sipas këtij raporti rrjetet kryesore që përdoren për nxitjen e radikalizmit në Kosovë janë Facebook dhe Youtube.

“Roli më i madh, ai i internetit, është i pashmangshëm. Prandaj është më mirë që ti edukojmë të rinjtë tanë se si ta përdorin internetin, sesa të tentojmë t’i ndalojmë ata nga përdorimi i internetit apo përcjellja e televizorit”, tha Roccasalvo.

Zonja Roccasalvo tha se raporti tregon që ndër problemet vazhdon të jetë riintegrimi i atyre që kthehen nga luftërat e huaja.

“Është e qartë këtu është frika nga e panjohura, 63 për qind thonë se do të ndiheshin në rrezik, mirë që janë gjallë por nuk i duam pranë vetes sepse nuk do të ndiheshim të sigurt. Kemi parë në Kosovë ku njerëzit kthehen, mundohen të riintegrohen, por sinqerisht askush nuk dëshiron të flas as të ketë të bëjë asgjë me ta. E njoh dikë që është kthyer dhe ka kërkuar punë e s’ka gjetur, ka hapur një dyqan dhe askush s’ka blerë aty sepse nuk kanë dashur të kenë punë me njeri të tillë, dhe kështu dyqani është bërë një vendtakim për njerëzit që vishen dhe mendojnë ndryshe”, tha Roccasalvo.

Ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, tha se këtu vihet në pah edhe roli i shoqërisë në Kosovë e cila duhet të ofrojë ndihmën e vet dhe jo të përjashtojë këta njerëz.

“Nëse ne e ekskomunikojmë një shok, një shoqe, një mik, një mike, një fqinj tonin të radikalizuar, nuk i kemi ndihmuar. Përkundrazi duhet ta ofrojmë, ta integrojmë dhe të përpiqemi në çdo mënyre ta ndihmojmë. Për këtë ne jemi duke bërë provë, një provë serioze me atë që po e quajmë mekanizëm referues në komunën e Gjilanit, janë 3-4 të ri të radikalizuar që janë duke ndjekur trajnime për t’u aftësuar për ndonjë punë a zanat dhe më e mira që mund të bëjë shoqëria është që tu sigurojë atyre ndonjë vend pune që ata të ndjehen pjesë e shoqërisë”, tha Hyseni.

Lidhur me gatishmërinë e të anketuarve për të raportuar personat që dyshojnë se janë të radikalizuar, 60.2 për qind do të zgjidhnin të bisedojnë personalisht me ta, 42.3 për qind do të flisnin me miq apo me anëtarë të familjes, 38 për qind do të flisnin me një anëtar me ndikim të komunitetit, dhe 34 për qind me policinë.

Sipas të dhënave të këtij raporti, deri tash Policia e Kosovës ka identifikuar 316 qytetarë, ndër ta dy sulmues vetëvrasës, 44 femra dhe 28 fëmijë të cilët kanë udhëtuar jashtë vendit për t’iu bashkuar organizatave terroriste./Zëri i Amerikës

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*