“Skuadra kërkon kohë për të treguar vlerat”

Ndryshe nga ndeshja me Kilin, pas sfidës me Suedinë trajneri Sylvinho u shfaq mjaft i kënaqur me futbollistët. Tekniku madje pranoi se kombëtarja minimalisht duhet ta kishte barazuar ndeshjen.

“Ndjehem i trishtuar sepse nuk barazuam apo pse nuk fituam. Nuk mund t’i them asgjë lojtarëve. Paraqitja ishte shumë e mirë. Kemi treguar shpirt, zemër, kemi djersitur. Sot dukej sikur po luanim në shtëpi. Kjo ishte ajo që duhet të transmetojmë në fushë”, tha ai.

Tekniku madje mbështet futbollistët e tij duke kërkuar që një pjese t’i jepet më shumë kohë për të treguar vlerat.

“Kjo është një skuadër që ende nuk është gati. Kemi lojtarë që ende nuk kanë 15 ndeshje me kombëtaren. Me Kilin bëmë shumë-shumë keq, ndërsa sot jo. Në këtë ndeshje meritonim edhe të fitonim”, tha ai.

Sylvinho vlerëson të gjithë, por veçon Armando Brojën.

“Provuam edhe shpejtësinë e Brojës. Më në fund kemi një qendërsulmues, numër 9, një pikë referimi”, u shpreh ai.

Me rikthimin në Shqipëri, trajneri dhe stafi i tij do të nisin nga analiza e futbollistëve për të përcaktuar listën përfundimtare për grumbullimin e Europianit të Gjermanisë.

Tv Klan