“Miqësoret kanë rëndësi për ne”

Sylvinho i quan tepër të rëndësishme dhe me vlerë miqësoret e Marsit, ndaj Kilit të premten dhe Suedisë të hënën. Kundërshtari i parë vlerësohet shumë nga trajneri i Kombëtares për përvojën në aktivitetet ndërkombëtare.

Sylvinho: Është një moment i rëndësishëm. Janë 2 ndeshje të vështira. Kili është një ekip i fortë që ka marrë pjesë në 9 botërorë. Është një ekip që ka luajtur kundër të gjithëve, Anglinë, Italinë, Brazilin.

Kapiteni Berat Gjimshiti mendon se mund t’ia dalin nëse luajnë të gjithë bashkë.

Berat Gjimshiti: Këto nuk janë miqësore për ne. Nuk kemi luajtur shpesh me skuadra të tilla. Gjithë ekipi të punojë bashkë, si mbrojtja dhe sulmi.

Ndaj Kilit të premten në Parma do të jetë një provë me vlerë, por jo vendimtare për listën finale sipas Sylvinho.

Sylvinho: Nuk mendoj ende për listën e Europianit. Këto janë dy ndeshje të rëndësishme që nuk mund t’i quaj miqësore. Tani është momenti për t’i vlerësuar të gjithë.

Pasditen e së enjtes, kombëtarja zhvilloi dhe seancën stërvitore në stadiumin e Parmës, “Ennio Tardini”.

Kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria luan me Kilin që është para Copa America, një turne që do të zhvillohet në të njëjtën periudhë me finalet e Europianit.

Kombëtarja vjen në këtë sfidë me 8 ndeshje pa humbje, ndërsa Kili nuk ka patur një ecuri pozitive kohët e fundit, duke pësuar edhe ndryshime në stafin teknik. Ndeshja Shqipëri-Kili do të transmetohet në TV Klan prej orës 20:45 të së premtes.

Tv Klan