Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Presidenti i Kinës, Xi Jinping janë takuar në Pekin në kuadër të përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet mes dy shteteve. Sipas asaj që raporton BBC News, Presidenti i Kinës Xi Jinping i tha Blinkenit se Kina dhe SHBA duhet të jenë partnerë dhe jo rivalë si dhe të shmangin përfshirjen në konkurrencën e egër.

Blinken, në vizitën e tij të dytë në Kinë në më pak se një vit, tha se Pekini dhe Uashingtoni kanë një përgjegjësi të përbashkët për të çuar përpara marrëdhëniet e tyre me diplomaci aktive. Sekretari Amerikan i Shtetit e përshkroi marrëdhënien SHBA-Kinë si më të rëndësishme në botë.

“Nuk ka asnjë zëvendësim, sipas gjykimit tonë, për diplomacinë ballë për ballë në mënyrë që të përpiqemi të ecim përpara, por gjithashtu të sigurohemi që të jemi sa më të qartë për fushat ku kemi dallime, të paktën për të shmangur keqkuptimet, për të shmangur llogaritjet e gabuara. Kjo është me të vërtetë një përgjegjësi e përbashkët që ne kemi jo vetëm për njerëzit tanë, por për njerëzit në mbarë botën duke pasur parasysh ndikimin që marrëdhëniet midis vendeve tona kanë në mbarë botën,” tha ai.

Udhëtimi i Blinkenit vjen disa ditë pasi SHBA miratoi një ligj që do të detyronte TikTok-un në pronësi kineze të shesë aplikacionin, ose në të kundërt platforma do të ndalohet në Amerikë.

Më herët, Ministri i Jashtëm Kinez, Wang Yi paralajmëroi Blinkenin që të mos shkelte vijat e kuqe të Kinës. Ai shtoi se marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë filluar të stabilizohen, por ende po testohen nga faktorë negativë.

Javën e kaluar, Uashingtoni miratoi paketën e tij të fundit të ndihmës, e cila përfshinte ndihmën ushtarake për Tajvanin, që u pasua me kritika të ashpra nga Pekini./tvklan.al