Oficerët e policisë në Britani zbuluan një fabrikë kanabisi në Grimsby gjatë bastisjes së një prone. ‘Kopshtarin’ e gjetën të fshehur në një dollap, gjatë kohës që kërkonin në dhomat në katin e sipërm. Bëhej fjalë për një 28-vjeçar shqiptar, i cili pranoi para gjykatës akuzën e prodhimit të kanabisit mes Janarit dhe Marsit të këtij viti.

Prokurori Michael Forrest tha se policia e ndërmori operacionin në banesën në fjalë gjatë orëve të natës, më 19 Mars. Ata zbuluan 2 dhoma të përshtatura për të kultivuar kanabisin. Në to u gjetën rreth 50 bimë kanabis. E teksa kërkonin për shenja të mundshme jete, ata dëgjuan një zhurmë që vinte nga një dollap dhe brenda gjetën shqiptarin.  

Kur u mor në pyetje, i riu u tha oficerëve të policisë se u kishte para borxh personave që e futën në Britani ilegalisht. Roli i tij ishte që të ujiste bimët e kanabisit dhe kishte mbi dy muaj që ishte vendosur në pronën në fjalë.

Gjyqtarja e çështjes e dënoi 28-vjeçarin me 19 javë burg, ndërsa tha se gjatë kësaj kohe do të shqyrtohet mundësia e deportimit të tij drejt Shqipërisë./tvklan.al