Mijëra banorë të Teksasit po përgatiten të përballojnë furinë e stuhisë tropikale “Edouard” që do të godasë orët e para të mëngjesit me orë lokale gjirin e Meksikës.

Në formën e uraganit, të shoqëruar ndoshta me një tornado dhe përmbytje të furishme “Edouard” është stuhia e pestë e këtij sezoni që godet vendin. Erërat e fuqishme pritet të kapërcejnë deri në 119km/orë.

Vendet më të rrezikuara janë Luiziana dhe Teksas, në Luiziana guvernatori ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë shtetin. Ndërsa në Teksas gjendja e emergjencës është shpallur në 17 konte.

Mbi 1200 trupa të gardës kombëtare janë mobilizuar, ndërsa furia e “Edouard” do të prekë jetët e mbi 5.4 milion njerëzve.

“Edouard” është stuhia e dytë që rrezikon operacionet e kompanive amerikane të naftës në gjirin e Meksikës. Disa rafineri janë mbyllur ndërsa puna e dy kompanive Sevronkorb dhe Seloil është ndërprerë pasi stafi i tyre evakuuar me urgjencë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle