Kosova dhe Serbia janë angazhuar t’i japin një zgjidhje përfundimtare marrëdhënieve mes tyre. Presidentët e dy vendeve u takuan këtë të enjte në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqesueses së larte të BE-së, Federica Mogherini.

Si rezultat i takimit, Thaçi dhe Vuçiç ranë dakort që të takohen më shpesh për të arritur një marrëveshje pajtimi mes dy vendeve.

Teksa ripërsëriti angazhimin e tij për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës në lidhje me bisedimet me Serbinë, Hashim Thaçi tha se pajtimi është i mundur ndërmjet të dy popujve.

Edhe Vuçiç, ndonëse me tone më pak optimiste, u shpreh se beson që mund të ketë një pajtim.

Në fund të muajit Korrik, presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për një zgjidhje të qëndrueshme e afatgjate të çështjes së Kosovës.

Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi, ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës. I pyetur për çështjen e rinegociimit të integritetit territorial, Thaçi nënvizoi se Kosova është vend sovran dhe i pavarur në territorin e vet dhe kjo është e panegociueshme.

Nga Brukseli, Presidenti i Kosovës i bëri thirrje spektrit politik në Kosovë për t’i dhënë fund krizës politike të krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 Qershorit./Tv Klan