Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç kanë rënë dakord gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Bruksel, se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Thaçi e Vuçiç janë pajtuar po ashtu që ekipet punuese të nisin përgatitjet për këtë çështje.

Thaçi e Vuçiç kanë theksuar edhe rëndësinë që ka zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Mogherini, në anën tjetër, ka ritheksuar rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Fillimisht, ajo ka biseduar ndaras me Thaçin dhe Vuçiçin, në takimet që kanë zgjatur nga 30 minuta dhe më pastaj ka organizuar edhe takimin e përbashkët me të dy presidentët.

Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po diskutohen idetë fillestare për mënyrën se si do të “vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synohet të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit”.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë më 1 shkurt.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit./REL