Presidenti Hashim Thaçi siguron se marrëveshja me Serbinë nuk përkthehet me ndarje të Kosovës. Ai u tregua i prerë në këtë qëndrim, në një konferencë të posaçme për shtyp, si kundërpërgjigje ndaj zërave se po ia dorëzon Beogradit Mitrovicën e Veriut, duke thënë se synimi është futja në territorin e Kosovës të Luginës së Preshevës.

“ E theksoj nuk do të ketë as ndarje te Kosovës as autonomi as shkëmbim. Po punojmë që Presheva, Medvegja e Bujanovci t’i bashkangjitën Kosovës.”

Për kërkesën e Luginës për t’iu bashkuar Kosovës, Thaçi tha se fjalën e fundit do ta ketë populli qe do të thirret në referendum.

“Do të punojmë të instalojmë të drejtën e referendumit që për çështje madhore vetë qytetarët e Kosovës pa dallime partiake ta japin opinionin e të vendosin për atë çështje, për të mos mbetur peng i çështjeve politike, grupore, individuale populiste, elektorale. Le të deklarojnë vetë qytetarët e Kosovës a duan bashkangjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, po ose jo. A duhet që të fillojë dialogu Kosovë Serbi dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare që nënkupton njohjen e Serbisë për Kosovën dhe njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe NATO.”

Duke iu përgjigjur skepticizmit dhe akuzave për shitje të Kosovës, presidenti Thaçi dha detaje për atë qe ai e ka quajtur si korrigjim i kufirit me Serbinë.

“E theksoj do të jenë rreth 400 km mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kushdo që përfaqëson opinion tjetër duhet te jetë i bindur se Kosova dhe Serbia herët a vonë do të përballen me këtë realitet.”

I pyetur nga gazetarët serbë të pranishëm në konferencë për reagimin e Presidentit Vuçiç ndaj idesë për bashkimin e Preshevës me Kosovën, Thaçi e tha qartë se homologu i tij nuk ka zgjidhje tjetër.

“Unë e njoh vendosmërinë dhe faktin se Aleksandër Vuçiç është i pandreqshëm në raport me Kosovën. Sikurse mund të jenë edhe serbët e tjerë në Beograd, por realiteti është ky. Mendoj se edhe Aleksandër Vuçiç duhet të mësojë ta dëgjojë kërkesën legjitime e të drejtë të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit për bashkangjitje me Kosovën dhe do të mësohet, i pëlqen apo nuk i pëlqen.”

Presidenti njoftoi se takimi i radhës mes grupeve negociatore Kosovë-Serbi do të mbahet në shtator. Por nuk është ende e qartë nëse Prishtina do t’i paraqesë që në këtë takim kërkesat e kreut te shtetit.

Tv Klan