eurodeputetja

Eurodeputetja qipriote e grupimit popullor në Parlamentin Europian, Eleni Theoharous i kërkon Tiranës zyrtare të ratifikojë marrëveshjen detare me Greqinë. Shqiperia, thotë ajo, duhet ta bëjë këtë në mënyrë që Qipro ta mbështesë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Eleni Theoharous – Eurodeputete: “Greqia i hapi dyert shqiptarëve në vitet 90, kur ju sapo kishit dalë nga një shkatërrim total dhe një varfëri e madhe. Greqia strehoi shumë emigrantë. Nuk më duket korrekte tani që të ketë pretendime kundrejt Greqisë apo detit grek. Kjo vjen nga pretendimi që ishulli i Otonisë në veriperendim të Kërkirës së Korfuzit nuk ka zonë eksluzive ekonomîke. Kjo nuk është korrekte. Sipas të drejtës detare, te gjitha ishujt kanë zonën e tyre eksluzive. Kështu që Shqipëria duhet te ratifikoje marrëveshjen detare dhe të sillet mirë, që ta mbështesim në anëtarësimin në BE”. 

Përsa u përket marrëdhënieve Tiranë – Athinë, eurodeputetja qipriote kritikon reagimin e qeverisë greke për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, pasi e konsideron ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër.

Nga ana tjetër, ajo thotë se i ka kërkuar Parlamentit Europian të dërgojë një grup eurodeputetësh për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në jug të Shqipërisë, pasi ka marrë informacion për manipulim të listave zgjedhore në zonat e minoritetit grek.

Eleni Theoharous – Eurodeputete:  “Në bazë të këtij informacioni, rezulton se qeveria shqiptare po manipulon zgjedhësit dhe ata nuk mund të shprehin vullnetin e tyre me votë siç kanë të drejtë ta bëjnë dhe zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme. Kjo është arsyeja për të cilën ngrita shqetësimin gjatë debatit për Shqipërinë. Ndaj dua të trajtohet çështja. Unë dua që të hetohet ky problem dhe të dërgojmë një mision vëzhgimi, në mënyrë që të kemi garancitë e duhura, që zgjedhjet do të jenë të ndershme”.                                                  

Eurodeputetja qipriote thotë se këto zgjedhje do të jenë test për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, pasi do të tregojnë nivelin e pjekurisë së klasës politike shqiptare.

Tv Klan