8 fitore radhazi në kampionat “shpërblehen” me trofeun e Premier League

Arsenali u konfirmua se është skuadra e momentit në Premier League angleze. Londinezët shënuan fitoren e 8-të radhazi në kampionat ndaj Brentford, për të hedhur kështu kandidaturën në garën për titull këtë sezon. Një ecuri fantastike e arritur nga skuadra e Mikel Arteta, që në këtë vit 2024 njeh vetëm fitore në elitën e futbollit anglez. Statistika që i japin të drejtë për të ëndërruar titullin, me historinë që flet në kahun e tyre.

Arsenal është skuadra e katërt që fiton secilën nga tetë ndeshjet e para të një viti kalendarik në Premier League. Tre precedentët e mëparshëm janë kurorëzuar me fitimin e titullit kampion në fund të sezonit, fakt që gëzon jo pak “topçinjtë”. Diçka e tillë ka ndodhur në vitin 2009 kur fitoi Manchester United, në 2020 me titullin e fituar nga Liverpool dhe një vit më pas nga Manchester City. Arsenal ka momentalisht edhe sulmin e mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me 70 gola të shënuar dhe 24 të pësuar, për të grumbulluar 64 pikë pas 28 javësh kampionat.

Klan News