Sërish Londra dhe sërish sulm me furgon. Kësaj radhe në objektiv ishin besimtarët që sapo kishin dalë nga një xhami në Londrën veriore.

 “BBC” raportoi se një person ka humbur jetën dhe të paktën 10 të tjerë janë plagosur mesnatën e kaluar kur një furgon i bardhë mësyun një grup njerëzish afër Xhamisë Finsbury Park, në rrugën “Shtatë Motrat”.

Një 48-vjeçar është arrestuar për sulmin.

Kryeministrja Theresa May tha se, policia po e trajtonte ngjarjen si “sulm të mundshëm terrorist”, ndërsa kryebashkiaku i  Londrës, Sadiq Khan tha se ishte “një sulm i tmerrshëm terrorist”.

Dëshmitarët okularë thanë se shoferi kishte thënë se dëshironte të vriste të gjithë myslimanët.

Kur burri doli nga furgoni dëshironte të largohej, vrapoi duke thënë ‘Dua të vras myslimanët. Dua të vras myslimanët’

“, tha Abdul Rahman për “BBC”

Rahman më tej tha se e kishte goditur në stomak sulmuesin dhe me ndihmën e të tjerëve e kishte mbajtur derisa kishte mbërritur policia.

“BBC” tha se shumë prej viktimave të sulmit besohet se sapo kishin lënë xhaminë, ku kishin kryer ritin e faljes pas prishjes së agjërimit.

Komuniteti Mysliman i Britanisë e quajti sulmin “manifestim të dhunshëm të islamofobisë” dhe bëri thirrje për masa shtesë sigurie rreth xhamive. 

Disa javë më parë  tre mbështetës të ISIS-it mësynë këmbësorët në Urën e Londrës para se të zbrisnin dhe të sulmonin me thika kalimtarët në disa lagje afër. Tetë persona vdiqën në sulm dhe 48 të tjerë u plagosën.

I mbrëmshmi ishte incidenti i tretë në më pak se një muaj që shkaktoi viktima në kryeqytetin Britanik, pas sulmit të Urës së Londrës dhe zjarrit në “Grenfell Tower”, ku humbën jetën 58 persona./tvklan.al