Në kuadër të operacionit policor të koduar “California” është goditur një rast i trafikimit të kanabisit nga SHBA në Shqipëri duke përdorur shërbimin postar. Si rezultat i këtij operacioni janë vënë në pranga 2 të rinj banues në Kamëz, konkretisht 27-vjeçari me iniciale S.V. dhe 24-vjeçari me iniciale J.L.

Dyshohet se të rinjtë kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC nga SHBA në vendin tonë nëpërmjet postës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë kanabis me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se dyshohet që 27-vjeçari me iniciale S.V. ka qënë organizatori i skemës së futjes së drogës me postë. Ai kishte përfshirë edhe 24-vjeçarin me iniciale J.L., ku ky i fundit kishte rolin për të marrë lëndën narkotike nga posta. Pakoja është dërguar me një emër të një personi tjetër me origjinë nga qyteti i Korçës, person i cili po verifikohet gjithashtu nga antidroga nëse është apo jo i përfshirë në këtë skemë.

Kanabisi me përmbajtje të lartë THC që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen në Shqipëri, për shitje në tregun vendas, vetëm një gram kap vlerën e 50 Eurove. Lënda narkotike blihet me çmim shumë të ulët në SHBA, me 10 mijë Dollarë kilogrami, por kur sillet në vendin tonë shitet me vlerë shumë më të lartë që shkon deri në 50 mijë Euro kilogrami.

Sjellja e kanabisit me përmbajtje të lartë THC nga SHBA është bërë fenomen në muajt e fundit dhe një shqetësim i vazhdueshëm për autoritetet, të cilat kanë shtuar kontrollet nëpër posta.


NJOFTIMI I POLICISE:

Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “California”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “California”.

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.

Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


/tvklan.al