Policia maqedonase thotë se “shefi” i dënuar i prostitucionit, Dilaver Bojku, i cili ka detyruar qindra femra nga disa vende ballkanike që të merren me prostitucion, është vrarë nga një person i panjohur.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia AP nga Shkupi, e cituar nga REL.

Dilaver Bojkiu, 55 vjeçar, është qëlluar në kokë nga afërsia parmbrëmë vonë në qytetin jugor, Strugë.

Zëdhënësi i policisë, Stefan Dimoski, i tha dje kësaj agjencie se personi i armatosur ka ikur.

Bojku ishte organizator i dënuar i prostitucionit, por në vitin 2003 ia doli të ikte nga burgu në Strugë.

Qeveria amerikane ka ofruar shpërblim për informacion, që mund të çonte në arrestimin e tij dhe ai së shpejti është burgosur në Mal të Zi, prej nga ai kishte planifikuar të fluturonte për në Brazil.

Në fund të vitit 2003 ai u ekstradua në Maqedoni dhe u dënua me 3 vjet e tetë muaj burg.

Pasi e vuajti dënimin, Dilaver Bojku u kthye në strugë ku e udhëhiqte një restorant.