Paolo Tramezzani e ndjek ende Kombëtaren edhe pse kanë kaluar gati 8 vite kur u largua nga kuqezinjtë.

Krahu i djathtë i Gianni De Biasi që drejtuan Shqipërinë drejt pjesëmarrjes së parë në fazën finale të një turneu madhor, analizon veçoritë e skuadrës së drejtuar nga Sylvinho. 

“Sipas meje dy skuadra të ndryshme, me një rrugëtim të ndryshëm. Ne kishim më shumë lojtarë me përvojë. Kjo e sotmja është një Kombëtare që ka edhe perspektivë. Skuadra e Sylvinho ka edhe cilësi individuale, lojtarë të zotë. Dua të përgëzoj trajnerin, pasi dallohet puna e tij në nivel taktik dhe strategjinë”.

Tramezzani i cili sot drejton Istra në kampionatin kroat, uron që Kombëtarja të bëjë një hap më shumë se ajo që debutoi në Europianin e 2016.

“Grupi nuk është i lehtë. Unë jam i bindur që do të luajë ballëhapur. Sot të luash përballë Shqipërisë nuk është e lehtë për asnjë dhe uroj që të bëjnë më mirë se ne në 2016 në Francë. Do të ishte bukur sikur të kalonin me sukses grupin”.

Paolo Tramezzani mendon se skuadra ka një ndërthurje të mirë mes të lojtarëve me përvojë dhe të rinjve.

“Në të gjithë repartet ka lojtarë që mund të bëjnë mirë, mjafton të shikosh ku luajnë. Unë mendoj se Gjimshiti dhe Hysaj mund të japin shumë si pikë referimi edhe jashtë fushës si lider që janë. Të rinjtë janë shumë. Ai që njoh më shumë është Asllani. Ka gjithçka që të jetë një futbollist i rëndësishëm”.

Ndeshjet e Shqipërisë dhe të gjithë sfidat e tjera të Euro 2024 do t’i ndiqni eksluzivisht në Tv Klan nga 14 Qershori deri më 14 Korrik.

Tv Klan