Mjeku Tritan Shehu ka shprehur qëndrimin e tij kundër projektligjit për surrogacinë. I ftuar këtë mëngjes në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ai e shpjegon se një ligj i tillë do të zhbënte shumë hallka të tjera si koncepti i familjes tradicionale, adoptimin pasi do të ndërhyjë në Kodin e Familjes.

Shehu nuk i përjashtoi rastet kur surrogacia konsiderohet si zgjidhje, por tha se ka hapësirë për abuzime dhe për të tregtuar e kthyer në vlerë monetare lidhjen biologjike nënë-fëmijë.

Tritan Shehu: Në këtë rast kërkohet që uterusi që është një organ shumë i rëndësishëm biologjik në marrëdhëniet fetus-nënë, kur flas për nënë, flas për nënën që e mban në bark, jo çështjen gjenetike. Është një organ që realisht influencon në një lidhje të madhe të tyre, ti ta kthesh këtë në një kasafortë ku futet një send brenda që është fetusi dhe i cili konvertohet në vlera materiale në fund fare.

Në përforcim të argumentit të tij, mjeku solli edhe disa fakte shkencore rreth lidhjes biologjike që krijohet mes fetusit dhe nënës.

Tritan Shehu: Prind të bëjnë shumë faktorë. Prind nuk mund të bëhesh në mënyrë artificiale. Për t’u bërë prind ka edhe mënyra të tjera, ka edhe adoptime brenda ligjeve, rregullave, etikës, moralit për të krijuar fëmijë. një fëmijë që lind nga një uterus tjetër, nuk është yti. Pse? Një fëmijë që në javën e 12-të të jetës fillon dhe krijon lidhje të forta me nënën që e mban në bark. Njeh zërin e nënës, njeh lëvizjet e nënës. Fëmija fillon dhe njeh ambientin e jashtëm përmes nënës që e mban në bark duke arritur një forcim të madh të këtyre lidhjeve në javën e 20-të. Fëmija merr edhe faktorët imunologjikë nga nëna që e mban në bark. Pse ka një zakon shumë interesant në të  gjithë natyrën njerëzore, që me të lindur fëmija, ia vë nënës në dorë? Është afiniteti që është krijuar, i fëmijës me nënën që e mban në  bark.

Shehu tha gjithashtu se ka patur raste kur nëna dhe fëmija kanë vuajtur probleme të rënda të shëndetit mendor kur pas lindjes, foshnja i është dhënë dikujt tjetër. Ai ngriti edhe problemin e ndërhyrjeve te konceptet “nënë” dhe “baba” në aspektin gjinor.

Tritan Shehu: Unë i pyes një gjë: kush është nëna? Pastaj hyjmë në një koncept tjetër kështu, hyjmë në konceptin e gjinisë, nëna 1, nëna 2, nëna 3, nëna 4. Nëna është vetëm një. Nëna dhe babai janë nocione të shenjta. Nuk mund të ketë nënë  1, nënë 2, prind 1, prind 2, ato janë pastaj  deformime të jetës dhe shoqërisë njerëzore.

“Nënë është ajo që ndien fëmijën në bark. Nëna bëhet kur e mban fëmijën në bark”, përmbylli mjeku./tvklan.al