Të martën në Shtëpinë e Bardhë u takuan për herë të parë Presidenti amerikan Donald Trump me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Media ndërkombëtare tërhoqi vëmendjen në detajin se teksa Trump dhe Erdogan ishin ballë për ballë, në tryezën e drekës së punës ishin edhe dy dhëndurët e presidentëve.

 Ministri turk i Energjisë, Berat Albayrak dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, tani këshilltar i vjehrrit të tij,  ishin ulur po ballë për ballë në tryezë.

Vendosja në këtë pozicion raportohet se mund të ketë qenë edhe një tregim afrimiteti nga ana e Presidentit Trump.

Gazeta britanike “Financial Times”, në një shkrim para takimit, tha se Trump dhe Erdogan kanë shumë të përbashkëta, duke tërhequr vëmendjen edhe tek përfshirja e dhëndurëve në ekipet e tyre të punës.

 “FT” tha se të dy janë liderë nacionalistë që kanë premtuar rikthimin e kohëve të lavdishme të këtyre shteteve dhe si Trump edhe Erdogan e kanë kthyer drejtimin e vendit në punë familjare, duke u besuar shumë dhëndurëve Jared Kushner dhe Berat Albayrak./tvklan.al