Presidenti Trump është rreshtuar kundër heqjes së një sërë statujash që kanë të bëjnë me luftën civile amerikane, ndërkohë që vendi është përfshirë nga një debat i nxehtë për marrëdhëniet racore.

“Është e trishtueshme të shohësh si po shkatërrohet historia dhe kultura e vendit tonë të madh, duke hequr këto statuja dhe monumente te bukura

”, shkroi Trump në rrjet.

“Nuk mund ta ndryshosh historinë, por mund të mësosh prej saj”

, vazhdoi ai.

Në SHBA kohët e fundit është vendosur heqja e disa statujave që përkujtonin personazhe apo ngjarje të konfederatës, siç quhej pjesa e Amerikës që u ngrit kundër heqjes së skllavërisë dhe nisi luftën civile në SHBA.

Ky ka qenë një tjetër pohim i diskutueshëm i presidentit Trump, që u kritikua shumë për mbrojtjen që u bëri organizatorëve të tubimit racist në Charlottesville, ku si pasojë e përleshjeve vdiq një grua dhe u plagosën shumë të tjerë.

“Robert Lee, Stonewall Jackson, me kë do vazhdoni, Washington, Jefferson? Ç’budallallëk. Bukuria që po hiqet nga qytetet dhe parqet tona do na mungojë shumë dhe nuk do jetë e mundur të zëvendësohet,”

shkroi Trump në një tjetër postim.

Heqja e statujave të disa liderve të kryengritjes së jugut, pro skllavërisë dhe kundër veriut amerikan, kanë qenë në qendër të polemikave të ashpra. Kritikët thonë se monumentet e konfederatës janë fyese nga pikëpamja raciale, ndërsa pala tjetër thotë se ato janë simbole të rëndësishme të trashëgimisë historike të jugut të Amerikës.

TV KLAN