Donald Trump është tërhequr nga premtimi i tij për ndërtimin e një muri ndarës me Meksikën. Jo vetëm që Trump nuk i ka qëndruar zotimit se për murin do të paguaje vetë Meksika, por edhe Shtetet e Bashkuara mesa duket do ta kenë të pamundur të miratojnë shpenzime për financimin e murit.

Këshilltarja e Presidentit, Kellyanne Conway, deklaroi për Fox News, se financimi i murit  nuk është pjesë e buxhetit që duhet të miratohet ditën e premte.

Bëhet fjalë për një kërkesë drejtuar kongresit nga ana e departamentit te sigurisë kombëtare, i cili ka kërkuar më shumë se 1 miliard dollarë nga buxheti për financimin e murit 100 km të gjatë.

Demokratët kanë kërcënuar se do të bllokojnë miratimin e buxhetit nëse paratë do të duhej të paguheshin nga qeveria.

Nga ana tjetër e kufirit, qeveria Meksikane e ka bërë të qartë disa herë që nuk do të paguajnë asnjë  qindarkë për financimin e murit. Megjithatë administrata Trump tha se muri mbetet një prioritet i lartë dhe do të miratohet më vonë gjatë vitit.

Lidhur me çështjen e emigrantëve, një gjykatës federal në San Francisco ka bllokuar dekretin e Trumpit për heqjen e fondeve ndaj qyteteve që janë miqësorë kundrejt emigrantëve.

Tv Klan