Sulmi me armë i të mërkurës në një shkollë të mesme në Florida, ku u vranë 17 persona po shndërrohet në betejë politike në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër FBI-në, pasi zyrtarët e saj pranuan se nuk kishin marrë masa ndaj agresorit 19-vjeçar Nikolas Kruz, pavarësisht paralajmërimeve.

Në një postim në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan se FBI harxhon kohë, duke kërkuar fakte për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, kur kjo nuk ka ndodhur në të vërtetë. Teksa ka humbur të gjitha sinjalet që lëshonte agresori i Floridas, të cilat mund të kishin parandaluar masakrën. Kjo është e trishtueshme – shkruan Trump. 

FBI pranoi se nuk e kishte ndjekur rastin e Kruzit, pavarësisht se muajin e kaluar një person kishte e denoncuar në zyrat e saj. Në denoncim thuhej se Kruz mbante armë, kishte dëshirë të vriste njerëz dhe kishte rrezik të kryente një sulm të armatosur në shkollë. Sjelljet e tij të rrezikshme i kishin evidentuar që dy vite më parë edhe punonjësit e shërbimeve sociale që kujdeseshin për të. 

Tv Klan