Amerika në vend të parë! Donald Trump përsëriti togfjalëshin e fjalimit të parë si president i SHBA-ve, edhe në Samitin e APEC-ut, në Vietnam. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më një abuzim tregtar në marrëveshjen që do të lidhin me vendet partnere.

Donald Trump

“Nuk mund dhe nuk do të lejojmë më barriera tregtare dhe praktika të pabarabarta. Askush nuk do të marrë më avantazhe në marrëveshjet e lidhura me ne. Do të vendos gjithmonë Amerikën në vend të parë”.

Pas ftesës për tryezë drejtuar Koresë së Veriut, Presidenti Trump lëshoi sërish mesazhe të forta ndaj vendit komunist. Nuk duhet të jemi kurrsesi peng i fantazive të një diktatori të dhunshëm dhe shantazhit të tij bërthamor, tha Trump.

Samiti i APEC-ut mbledh së bashku 21 vendet të zhvilluara në Azi dhe Paqësor, prodhimi i brendshëm bruto i të cilave përbën 60% të prodhimit të botës. Gjatë pritjes në Samit, Trump pati një takim të shkurtër edhe me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë fotos ceremoniale.

Presidenti amerikan ndodhet në Azi në një tur 5 ditor i cili do të mbyllet me vizitën në Filipine.

Tv Klan