Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Presidentin e SHBA Donald Trump më 27 Prill. Këtë e ka njoftuar një zyrtar i lartë i Shtëpie së Bardhë.

Por 3 ditë para këtij takimi kreu i Shtëpisë së Bardhë do të presë presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Këto zhvillime vijnë në kuadër të rishikimit te marrëveshjes bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore që përfundon në datën 12 maj. Trump ka deklaruar se do të largohet nga kjo marrëveshje por Gjermania, Franca dhe shtete të tjera që e kanë firmosur i kanë bërë thirrje SHBA-së të qëndrojë.

Me paktin e vitit 2015, Teherani është pajtuar të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij. Trump ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.

Gjithashtu në këto takime Europa do të lobojë për tarifat e çelikut dhe aluminit  pasi data 1 Maj është përfundimi i afatit që përjashton Bashkimin Europian nga taksat e rritura për importin e çelikut dhe aluminin. Merkel, në një telefonatë me Trump javën e kaluar, kërkoi dialog mbi politikat tregtare midis BE dhe Shteteve të Bashkuara, “duke marrë parasysh sistemin e tregtisë ndërkombëtare të bazuar në rregulla”.

Klan Plus