Megaoperacioni i policisë për ekzekutimin e 50 urdhër-arresteve të SPAK ka çuar deri më tani në pranga 20 persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke goditur 7 grupe më të fuqishme kriminale në vend.

Operacioni që zgjati rreth 20 orë, sipas njoftimit zyrtar të SPAK është shtrirë në Shqipëri, në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë dhe Rrëshen. Gjithashtu ai është kryer në bashkëpunim me Europol që mundësoi arrestimin e 6 shtetasve, 2 në Itali, 2 në Belgjikë, 1 në Gjermani e në Spanjë. Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e ish-deputetit të Lezhës Arben Ndoka, 4 punonjësve të policisë, 2 prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020 për të cilët u lëshua edhe urdhër-arresti.

Konkretisht, në dosjen e SPAK drejtori i Policisë së Lezhës, Henrigert Mitri në vitin 2020 akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës. Ndërsa efektivi Klodian Shahini, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë akuzohet se informonte Edison Reçin nipin e Kastriot Reçit për lëvizjet e Preng Gjinit. Më 15 Shtator 2020 në Tiranë  u tentua eliminimi fizik i Preng Gjinit duke i vendosur një sasi tritoli në makinë. Nga shpërthimi mbeti i plagosur.

SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s dhe kolegun e tij me iniciale A.P. Në njoftimin e SPAK përmenden grupet e Ervis Martinajt, qe rezulton i zhdukur prej 8 Gushtit 2022, si dhe Arben Ndokës në Lezhë, klani Duka në Tiranë, grupi Avdylaj në Shijak dhe grupi i Durim Bamit në Fushë-Krujë.

Ndërsa SPAK përmend dhe bashkëpunimin me Emiljano Shullazin, i cili është ndodhet në burg, me grupin e Ervis Martinajt për eliminimin e Durim Bamit. Gjithashtu SPAK bën të ditur se ka sekuestruar 4,5 milionë Euro pasuri. Janë gjetur 3 mln Euro kesh të fshehura ne valixhe, por edhe te groposura në tokë, bizhuteri, ora luksi dhe dhjetëra makina. Për këtë operacion u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol.


URDHËR-ARRESTE

– Ish-deputeti, Arben Ndoka;

– Drejtori i Policisë Lezhë, Henrigert Mitri;

– Shefi kundër Trafiqeve në Lezhë, Klodian Shahini;

– 2 efektivë të RENEA, Altin Morina dhe A.P.


SEKUESTROHEN

•      3 milion Euro cash;

•      Flori dhe bizhuteri të shtrenjta;

•      Ora me vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;

•      Armë zjarri;

•      Targa të përshtatura automjetesh;

•      Automjete luksoze, 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro;

•      Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri.


Tv Klan