Dy kanadezë të cilët u ngatërruan aksidentalisht në spital kanë marrë ndjesë formale nga shteti, 68 vjet pas gabimit që u ndryshoi jetën. Richard Beauvais dhe Eddy Ambrose lindën të njëjtën ditë, në të njëjtin spital në Arborg, Manitoba, në vitin 1955. Por një gabim në këtë spital, bëri që fëmijët të ngatërroheshin dhe ata të shkonin me prindërit e gabuar. Ata qëndronin të ulur krah njëri-tjetrit të enjten për të dëgjuar ndjesën e drejtuesit të provincës së Manitoba, Wab Kinew, për vitet që shpenzuan larg familjeve të tyre biologjike.

Beauvais, i cili u rrit në Sechelt, British Columbia, gjatë gjithë jetës kishte besuar se ishte indigjen. Në vitin 2020 ai bëri një test ADN-je që zbuloi se në fakt ishte një miks ukrainas, hebre Ashkenazi dhe polak. Rastësisht, motra e Eddy Ambrose, Evelyn Stocki, bëri po ashtu një test ADN-je në Winnipeg, Manitoba, ku bëri zbulimin tronditës se Beauvais ishte vëllai i saj biologjik.

Ambrose dhe Beauvais kontaktuan për herë të parë me njëri-tjetrin nëpërmjet telefonit.

Flas me Eddy Ambrose? Nuk besoj se më mban mend, por ne jemi takuar shumë kohë më parë. Ishte viti 1955 dhe ne qëndronin krah njëri-tjetrit në shtrat”, i tha Beauvais në telefon.

Por çfarë jetësh patën ata? Babai i Beauvais, që është babai biologjik i Ambrose, vdiq kur ai ishte 3 vjeç. Beauvais u mor më pas nga familja e tij, për shkak të politikave të Kanadasë, sipas së cilave fëmijët indigjenë vendoseshin në jetimore ose adoptoheshin larg komuniteteve të tyre.

Ambrose u rrit në një fermë rurale në Manitoba, në një familje të dashur dhe përkrahëse, me prejardhje ukrainase dhe nuk kishte dijeni për trashëgiminë e tij indigjene. Në moshën 12-vjeçare ai mbeti jetim dhe adoptua.

Ndonëse e zbuluan të vërtetën vetëm kohët e fundit, jetët e tyre u ‘kryqëzuan’ dy herë, shumë kohë më parë.

Kur ishte fëmijë, Ambrose i kërkoi një vajze që jetonte disa qyteza larg tij që të luante me skuadrën e tij të basketbollit, kur ndodhej me pushime shkollore, pa e ditur që në fakt ajo ishte motra e tij biologjike.

Akoma më çuditshëm, Beauvais, i cili u rrit duke peshkuar, kishte një të dashur kur ishte adoleshent, e cila e çoi në një zonë ku peshkonte edhe motra e tij biologjike. Megjithatë ata nuk e zbuluan kurrë që kishin lidhje./tvklan.al