Zonja e Parë e SHBA Melania Trump do të udhëtojë për herë të parë jashtë vendit pa bashkëshortin e saj dhe kjo për hatër të Princit të Mbretërisë së Bashkuar.

Arsyeja pse Melania do të udhëtojë për hatër të nipit të Mbretëreshës Elizabeth janë lojërat “Invictus” që këtë vit zhvillohen në Toronto të Kanadasë dhe janë iniciativë e Princit Harry.

Këto lojëra janë organizuar për herë të parë në Londër në shtator 2014 me nismën e djalit të ri të Princit Charles dhe Princeshës së ndjerë Lady Diana. Në lojërat “Invictus” konkurrojnë burra dhe gra nga 17 vende, të gjithë ish-ushtarakë. Kujtojmë se Princ Harry ka shërbyer në Forcat e Armatosura Mbretërore dhe është vlerësuar nga kolegët e tij kur ka qenë me mision në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar zyrtarisht se bashkëshortja e Presidentit Trump, Melania do të udhëheqë delegacionin amerikan që do të marrë pjesë në garat që do të zhvillohen nga 23 deri më 30 shtator në Toronto. Si përfaqësuese e delegacionit amerikan në këto lojëra, Melania Trump do të takohet edhe me Princ Harryn.

Edhe ish-Zonja e Parë e SHBA Michelle Obama kishte shoqëruar Princin Harry në tetor 2015 gjatë lojërave “Invictus” që u zhvilluan në SHBA.

/tvklan.al