Pro-Russian militant walks near a checkpoint which was the scene of a gunfight overnight near the city of Slaviansk

Pavarësisht armëpushimit të Pashkës dhe marrëveshjes së nënshkruar në Gjenevë, 5  është numri i viktimave në lindje të Ukrainës, në preferi të qytetit Sllavjansk.

Disa persona të tjerë mbetën të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Sipas njoftimeve të ndryshme, 3 prej viktimave i përkasin grupimeve filo-ruse; ndërsa dy të tjerë mendohet se janë ekstremistë të “Sektorit të Djathtë” që mbështesin autoritetet e reja në Kiev. Këta të fundit përgënjeshtruan çdo përfshirje në incident, duke akuzuar forcat speciale ruse si përgjegjëse për të. Autoritetet në Kiev thanë se po hetojnë imtësisht ngjarjen, duke konfirmuar se vetëm një person ka mbetur i vrarë.

Incidenti ndodhi në mesnatë në një postbllok, ku ndodheshin 26 filo-rusë, që u sulmuan nga një grup prej 20 personash që mbërritën aty me 4 automjete. Ngjarja është dënuar nga të dyja qeveritë, si në Kiev ashtu edhe në Moskë. Por nuk kanë munguar sërisht akuzat ndaj njëra-tjetrës për nxitje të dhunës, duke vënë seriozisht në pikëpyetje marrëveshjen e nënshkruar të enjten në Gjenevë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Ndërsa në një incident tjetër, në brendësi të qytetit të Sllavjaskut dy të rinj u plagosën me armë zjarri nga një grup njerëzish të paidentifikuar.

Kremtimi i Pashkës së sivjetshme i ka gjetur sërisht të ndara kishat ortodokse të Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar akoma edhe më shumë mosmarrëveshjet shumëvjeçare mes tyre. Në ceremoninë festive të mbajtur në katedralen kryesore të Moskës, atë të Krishtit Shpëtimtar, ishin të pranishëm edhe dinjitarët më të lartë rusë. Përpara mbajtjes së ritit, Patriarku rus Kirill u bëri thirrje besimtarëve të luten për paqen në Ukrainën fqinje, shtet i cili po përjeton ditët e tij më të vështira.

Ndërsa nga katedralja e Shën Mikelit në Kiev, patriarku Filaret ka dënuar agrisionin rus ndaj vendit të tij dhe se “djalli” do të mundet, duke u bëri thirrje besimtarëve të luten për bashkimin e Ukrainës.

Tv Klan