Ministria e Arsimit ka reflektuar në ligj vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë. Në draftin e hedhur për konsultim publik propozohet ulje e viteve të detyrimit për të punuar në Shqipëri nga 5 në 3 vite për studentët e vitit të parë. Për studentët nga viti i dytë në të katërtin propozohet detyrimi në 2 vite nga 3 që ishte më parë ndërsa për vitet e pesta dhe të gjashta do të ketë vetëm 1 vit detyrim pune në atdhe.

Në draft thuhet se mjekët e rinj janë të detyruar të punësohen në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga Ministria e Shëndetësinë. Mjeku merr vendimin për punësim brenda 3 muajve nga lindja e së drejtës. Nëse punësimi i tyre nuk do të kryhet brenda afateve, mjeket e rinj do të paguhen me 80% të pagës edhe pa qenë në punë. Ky propozim prek vetëm studentët shqiptarë të mjekësisë dhe jo të huajt.

Projektligji që ndalon studentët e Mjekësisë të largohen nga vendi menjëherë pas diplomimit u miratua në korrik të vitit të kaluar. Ai u prit me protesta nga një pjesë e studentëve, por qeveria argumentoi se nisma kishte si qëllim frenimin e largimit të mjekëve nga vendi. Edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se nisma ishte ligjore, por afatet e vendosura nuk ishin proporcionale. 

Tv Klan