Marrëveshje huaje prej 1 mln euro për fuqizimin e të rinjve

Union Bank dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mblodhën përfaqësues nga shoqatat e të rinjve, qendrat dhe organizatat rinore, si dhe klientë të rinj në biznes, për të prezantuar fillimin e Programit të BERZH “Të Rinjtë në Biznes” në Shqipëri.

Union Bank është institucioni i parë financiar në Shqipëri që nënshkruan marrëveshjen e huasë prej 1 milion euro për fuqizimin e të rinjve në vend. Programi i BERZH-it Të Rinjtë në Biznes u ofron ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të menaxhuara ose në pronësi të sipërmarrësve nën moshën 35 vjeç, akses në financimin, njohuritë, aftësitë dhe burimet e tjera kyçe të nevojshme për të kapërcyer sfidat dhe për të arritur potencialin e plotë. 

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank Shqipëri, Flutura Veipi u shpreh se Union Bank është e përkushtuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, i cili drejtohet kryesisht nga energjia e të rinjve sipërmarrës.

Flutura Veipi (Drejtore e Pergjithshme Ekzekutive e Union Bank): Në pak muaj ky është një sukses shumë i madh mbi të cilin ne kemi ngritur edhe këto projeksione mbi 16 mln euro portofol në 5 vite. Në fakt besojmë që pasi të bëjmë një rishikim të këtij lloj produkti në disa muaj eksperiencë ku të dëgjojmë edhe zërin e të rinjve në biznes, të kemi një rishikim të tij për të parë nëse realisht ka plotësuar ato nevoja që të rinjtë kanë sot. E para programi është i gjerë, mosha që është kriteri parësor 18-34 vjeç, të rinj të cilët kanë pronësi apo drejtojnë një biznes, është kriteri i parë shumë i rëndësishëm. Elementi i ri ishte ai produkti që ishte për start up-et, sepse e veçanta që tregu ka nevojë sot është më tepër aktivitete nga të rinjtë, që përveçse kësaj moshe, sapo e kanë filluar biznesin e tyre.

Ndërsa drejtuesja e BERZH, Ekaterina Solovova u shpreh se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të fuqizuar sipërmarrësit e rinj. Zv/Ambasadori i Italisë në Shqipëri Luigi Mattirolo dhe Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ishin të pranishëm në aktivitet, të cilët ndanë mbështetjen e tyre për programin “Të Rinjtë në Biznes”.

Mbështetja financiare për programin “Të Rinjtë në Biznes” në formën e fondeve për bashkëpunim teknik është siguruar nga Suedia përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Italia nëpërmjet Iniciativës së Evropës Qendrore dhe Luksemburgu nëpërmjet Fondit të Ndikimit të Biznesit të Vogël nga BERZH.

Klan News