Pas vetting-ut Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve do të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese një tjetër ligj të paketës së reformës në drejtësi, atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kreu i këtij unioni, Gerd Hoxha thotë se në hartimin e draftit nuk janë marrë në konsideratë sugjerimet e bëra nga radhët e gjyqtarëve. Sipas tij ligji cënon në thelb pavarësinë e gjyqësorit, dhe bie ndesh me ndryshimet kushtetuese të miratuara në 22 korrik.

Gerd Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve:  

Cënohet parimi i sigurisë juridike lidhur me ndërprerjen e mandateve, kryetari i Gjykatës së Lartë, Lushtetuta se lejon, në ligj ndërpritet. Cënohet e drejta e karrierës për gjyqtarët. Ka ndërprerje të pjesshme të mandateve për anëtaret e KLD-së, i lejohet procedimi disiplinor, por jo promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo është fyese për anëtarët e KLD.

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve thotë se ligji shkel edhe standardet e përcaktuara në opinionin final të Venecias.

Krahas shpalljes antikushtetues të ligjit, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese edhe pezullimin e tij.

Hoxha hedh poshtë edhe akuzat e maxhorancës se një pjesë e gjyqtarëve janë bërë palë me opozitën, për të bllokuar përmes ligjit të vetting-ut reformën në drejtësi. Ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratua në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës në seancën plenare të 6 tetorit./TV KLAN