5 persona humbën jetën, përfshirë një vajzë 7-vjeçare, ndërkohë që kalonin kanalin britanik, orët e para të kësaj të marte. Sipas zyrtarëve francezë, emigrantët po përpiqeshin të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të tejmbushur, me të paktën 112 persona në bord.

Autoritetet thonë se varka hasi në rërë pasi la brigjet e Wimereux, pranë Boulogne, përpara se të vijonte tutje. Një prej vullnetarëve të zonës që u shkoi në ndihmë, u tha gazetarëve se babai e pa vajzën e tij të vogël t’i vdiste para syve.

Prefekti i Pas-de-Calais, ku ndodhet Wimereux tha se varka ishte nisur nga Plage des Allemands me “një numër të paprecedentë prej 112 personash në bord”.

Varka e mbingarkuar u shfaq në vështirësi disa qindra metra larg plazhit pasi preku në rërë. Motorët e saj ndaluan dhe 2 persona ranë në ujë, pranë varkës, thanë autoritetet franceze. Menjëherë në ndihmë të tyre shkuan varkat patrulluese, për të shpëtuar ata që ishin në bord. Kur ata mbërritën 7 persona ishin pa ndjenja dhe në vështirësi.

6 prej tyre u transportuan drejt bregut, por pavarësisht ndihmës së shpejtë që iu dha, ata nuk arritën të mbijetonin.

BBC thotë se në total autoritetet shpëtuan 47 persona, ndërsa 57 të tjerë qëndruan në varkë dhe nuk pranuan të ktheheshin mbrapsht.

“Ata arritën që ta rivinin në punë motorin dhe vendosën që të vijonin rrugëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, nën mbikëqyrjen detare”, thanë autoritetet franceze./tvklan.al