Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ekipin e Partizanit në volejboll për meshkuj që pas 38 vitesh arriti këtë vit të fitojë Kupën e Shqipërisë.

Veliaj tha se falë këtyre sukseseve, shumë të rinj dhe të reja po merren me sport.

“Jam shumë krenar për ju! Kishte kohë që nuk i kishim parë pallatet e sportit plot. Fakti që po mbushen shkallët e pallateve të sportit, dhe fakti që shumë të rinj po futen në ekipet zinxhir, fakti që kemi një ‘fidanishte’, ku djem, vajza të rinj, po ikin nga lokalet e nga interneti, nga iPadi, nga telefonat dhe po merren me aktivitet fizik, është një lajm i jashtëzakonshëm”.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen financiare për ekipet sportive për të avancuar edhe në kupat europiane.

“Jam vërtet krenar jo vetëm për dy kupat, edhe në pritje të së tretës, po me shpresë do të kemi ndoshta një plan edhe një buxhet që do të mbështetet nga Bashkia e Tiranës për të avancuar në kupat europiane”.

Prej vitit 2019 ekipi i Partizanit në volejboll ka kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Tv Klan